Viniciusi rrezikon pezullim deri në 4 ndeshje, përfshirë “El Clasicon”

Ylli i Real Madridit, Vinicius Jr., u ndëshkua mbrëmë me karton të kuq, pasi tërhoqi për flokësh kundërshtarin, Nathan Saliba. Ky incident ndodhi gjatë një faze loje ku sulmuesi brazilian shënoi një gol, por që u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Vinicius protestoi ashpër kundër vendimit për përjashtim.

Për këtë veprim, ai rrezikon një pezullim prej deri në katër ndeshje, duke përfshirë edhe derbin e madh spanjoll, “El Clasico”, kundër Barcelonës.

Sipas nenit 130 të Kodit Disiplinor të Federatës Spanjolle të Futbollit, sjellja e dhunshme gjatë lojës, e cila nuk shkakton dëmtime apo lëndime, dënohet me pezullim nga një deri në tre ndeshje, ose deri në një muaj.

Megjithatë, rregullorja parashikon një masë tjetër dënimi kur veprimi ndodh jashtë lojës aktive, në një moment kur lojtari nuk mund ta luajë topin, ose kur loja është e ndalur. Në këtë rast, pezullimi mund të jetë nga dy deri në tre ndeshje.

Mbetet të shihet vendimi përfundimtar i komisionit disiplinor.