Visar Ganiu është shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtorit të Qendrës për Edukim pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM). Vendin e tij pritet ta marrë Mensur Jakupi, një emër i njohur në futbollin vendor.

Jakupi ka një karrierë të pasur, duke punuar me ekipe të ndryshme si KF Gostivari, ekipin e të rinjve të Shkëndijës së Tetovës, dhe aktualisht është pjesë e akademisë së KF Arsimit. Ai ka drejtuar gjithashtu ekipet kombëtare U17 dhe U19 të Maqedonisë dhe zotëron licencën UEFA Pro për trajner.

Së fundmi, Jakupi ka qenë pjesë e instruktorëve dhe edukatorëve të Qendrës së Edukimit për Trajnerë, ku u përmbyll Moduli i dytë i kursit UEFA B. Ky modul, pjesë e gjeneratës së 32-të, përfshiu një provim praktik në përputhje me konventën e UEFA-s për vitet 2025/26, ku 25 kandidatë demonstruan njohuri dhe aftësi të larta profesionale si trajnerë.