Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar me një mesazh emocional në lidhje me gjendjen e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si padrejtësi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Gucati theksoi se është e dhimbshme të shihet një figurë që, sipas tij, ia kushtoi jetën Kosovës, lirisë dhe dinjitetit të saj, duke u përballur sot me vështirësi të tilla. Ai ngriti shqetësimin edhe për kufizimet në takimet familjare, duke theksuar se Jakup Krasniqi nuk po mund të ketë liri të plotë për të takuar të afërmit e tij.
Gucati bëri të ditur se aktualisht Krasniqi ndodhet në Kosovë për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, e cila po përballet me probleme shëndetësore. Me këtë rast, ai i uroi asaj shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e saj ndër vite.
“Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë. Zoti e forcoftë dhe e mbroftë,” shkroi Gucati.
Ai e mbylli reagimin e tij me një thirrje për drejtësi: “Me të njëjtën shpresë e besim të palëkundur, urojmë dhe presim që padrejtësia ndaj Bacit Jakup dhe ndaj të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë të marrë fund sa më shpejt. E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”
