**Osmani kandidate për bartëse liste e LDK-së? Azemi: Nuk ka diskutime, dyert e partisë janë të hapura**
Visar Azemi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u pyet sot gjatë një konference për media lidhur me raportimet se presidentja Vjosa Osmani mund të jetë bartëse e listës zgjedhore të LDK-së, në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, Azemi theksoi se kjo çështje nuk është diskutuar deri më tani brenda partisë. Megjithatë, ai shtoi se dyert e LDK-së janë të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen asaj.
“Nuk ka asnjë diskutim deri më tash lidhur me këtë aspekt,” deklaroi Azemi para mediave. “Lidhja Demokratike e Kosovës është e të gjithë qytetarëve, prandaj të gjithë ata që dëshirojnë të aderojnë në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë dyert e hapura.”
