**Vrasje e Dyfishtë në Gjilan: Policia Sekuestron Armë dhe Prova Pas Bastisjeve**
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Livoç të Ulët në Gjilan, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe vëllain e saj, si dhe ka plagosur një person tjetër. Pas kësaj tragjedie, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit, duke sekuestruar armë, qindra fishekë dhe prova të tjera materiale.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë bastisjeve me urdhër të prokurorit, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 diabolla për pushkë pneumatike.
Në vendin e ngjarjes, në dy lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Po ashtu, brenda veturës së të dyshuarit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë, për të cilën ai kishte leje të skaduar dhe me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Ndër provat materiale të sekuestruara janë edhe disa telefona celularë dhe pajisje DVR të kamerave të sigurisë.
Ngjarja tragjike ndodhi më 9 tetor, ku i dyshuari, një shtetas kosovar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, të cilët humbën jetën. Djali i axhës së bashkëshortes mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
