**Avokati i Popullit, Naim Qelaj, po shqyrton kërkesën për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Gjykatën Kushtetuese, pas shqetësimeve të ngritura rreth mandatit të gjykatës së Hagës.**
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, bëri të ditur se është duke shqyrtuar kërkesën e organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa synon vlerësimin nëse Gjykata në Hagë ka tejkaluar mandatin e saj në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj theksoi se është ende herët për të përcaktuar qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë. Megjithatë, ai shtoi se do të veprojë në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, duke pasur gjithmonë në fokus respektimin e të drejtave të njeriut dhe interesin e drejtësisë.
“Para pak ditësh kemi pranuar një kërkesë nga një numër i madh i organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Kemi shqyrtuar dhe analizuar kërkesën e tyre, si dhe kemi zhvilluar një takim për të diskutuar shqetësimet e ngritura. Jemi në fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit. Si Avokat i Popullit, unë gjithmonë veproj brenda mandatit tim kushtetues dhe ligjor, duke pasur prioritet respektimin e të drejtave të njeriut. Por, mendoj se është një fazë e hershme për të konsideruar qëndrimin tim në raport me këtë kërkesë. Kur është në interes të drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, jam shumë i gatshëm të veproj,” deklaroi Qelaj.
Ai sqaroi se institucioni i Avokatit të Popullit nuk vlerëson vendimet gjyqësore, por procesin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Sipas tij, raporti i institucionit për Dhomat e Specializuara është fokusuar te procesi i zhvilluar dhe garantimi i standardeve për një gjykim të drejtë, të cilat Kosova i zbaton në legjislacionin e saj.
“Avokati i Popullit nuk jep vlerësime lidhur me vendimmarrjen e gjykatave. Bëhet fjalë për vendimet dhe aktgjykimet që merren nga gjykatat në çfarëdo niveli, në këtë rast edhe Dhomat e Specializuara. Por, raporti që ne kemi publikuar ka të bëjë më shumë me vetë procesin që po zhvillohet atje dhe garantimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm,” u shpreh Qelaj.
Ai përmendi shqetësimet e evidentuara në raportin e Avokatit të Popullit, duke filluar nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënies së gjykatës, fakti që gjykata nuk lidhet me asnjë segment të sistemit të drejtësisë në Kosovë, kohëzgjatja e paraburgimit përtej standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe administrimi i provave nga Serbia pa një filtër verifikimi, duke injoruar qëndrimet armiqësore të Serbisë ndaj UÇK-së.
“Këto dhe shumë probleme e shqetësime të tjera ne i kemi evidentuar. Kur del një vendim që në një masë të madhe nuk kënaq publikun ose nuk është në pritshmëritë e tij, këto shqetësime të ngritura paraprakisht fitojnë një tjetër dimension dhe legjitimitet. Nuk mund të presim që rezultatet e një procesi të komprometuar ose me kaq shumë probleme të jenë vendime të besueshme për publikun. Reagimi i publikut ka qenë ai që ka qenë, duke sjellë deri te veprimet konkrete të ndërmarra edhe nga Kuvendi i Kosovës,” deklaroi Qelaj.
Lidhur me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Qelaj tha se e drejta e Kuvendit për të miratuar dhe ndryshuar ligje nuk duhet kontestuar. Megjithatë, ai ngriti dilema për efektin juridik të këtyre ndryshimeve dhe përputhshmërinë e tyre me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke marrë parasysh amendamentin e veçantë të Kushtetutës që përcakton themelimin dhe funksionimin e këtyre gjykatave.
Qelaj theksoi se vlerësimi nëse procesi gjyqësor ka qenë i padrejtë i takon vetëm Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara. Ai shtoi se të gjitha vendimet gjyqësore, pavarësisht nëse janë të pranueshme apo jo, duhet të respektohen derisa të merret vendimi i shkallës tjetër.
Ai kërkoi mbikëqyrje më të madhe dhe llogaridhënie nga Dhomat e Specializuara, si dhe monitorim të thelluar nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. “Kosova nuk duhet të krijojë situata që të konsiderohet si shtet që pengon drejtësinë. Duhet të gjejë forma të pranueshme që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e njeriut dhe një proces të drejtë, pa u klasifikuar si një shoqëri që provon ta vendosë drejtësinë me ligje ose me politikë,” tha ai.
Në fund, Qelaj vlerësoi se struktura dhe mënyra e funksionimit të Dhomave të Specializuara ngrenë shqetësime për raportin e tyre me institucionet e Kosovës. “Nga analiza jonë, ka rezultuar se struktura e gjykatës dhe mënyra se si ka funksionuar janë tërësisht jashtë sistemit të Republikës së Kosovës. Kjo formë e vendimmarrjes në një strukturë autonome që, ndonëse e ndërtuar nga Kosova, nuk i përket asaj dhe i jep llogari vendeve donatore, natyrisht ngre shumë shqetësime dhe dilema,” përfundoi Avokati i Popullit.
