UBT organizon Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë
UBT do të presë më 21 tetor 2026 Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), një ngjarje madhore e cila do të bashkojë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit nga mbarë bota. Qëllimi është diskutimi i zhvillimeve më të fundit, inovacioneve dhe qëndrueshmërisë në praktikën klinike dhe sportive të kësaj fushe.
Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Projektin SHAPE – Sport, Health, and the People dhe Shoqatën Kosovare të Mjekësisë Sportive dhe Ushtrimeve (KASEM), do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Me temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine” (Inovacioni dhe Rezistenca në Mjekësinë Sportive), ajo do të shërbejë si një platformë thelbësore për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore.
Gjatë konferencës do të trajtohen tema me rëndësi thelbësore për avancimin e mjekësisë sportive. Ndër to përfshihen shëndeti funksional, radiologjia, ortopedia, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjenca artificiale dhe mundësitë që inovacioni teknologjik sjell në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.
Qëllimi i konferencës është gjithashtu forcimi i bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimet mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre praktik.
Kjo ngjarje prestigjioze është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).
Për më shumë informata rreth programit dhe detaje të tjera, të interesuarit janë të ftuar të vizitojnë LINKUN zyrtar të konferencës.
