**PSG në ankth: Mungesa e Mendesit dhe dilema Zaïre-Emery për të ndalur Yamalin**
Paris Saint-Germaini po përballet me shqetësime serioze përpara ndeshjes së madhe ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, për shkak të mungesës së Nuno Mendesit.
Trajneri Luis Enrique ka për detyrë të gjejë zgjidhjen e duhur për të neutralizuar Lamine Yamal, një prej kërcënimeve kryesore të skuadrës katalanase.
Sipas mediumit francez “L’Équipe”, një ndër opsionet më të mundshme është aktivizimi i Warren Zaïre-Emeryt në një pozicion të pazakontë, me detyrën specifike për të mbikëqyrur nga afër talentin e Barcelonës.
Mesfushori francez vlerësohet për intensitetin e tij, aftësinë për të mbuluar hapësira të gjera dhe gatishmërinë për sakrificë në fushë.
Megjithatë, PSG-ja është e vetëdijshme se thjesht mbulimi individual mund të mos jetë i mjaftueshëm për të frenuar Yamalin, prandaj do të nevojiten edhe mbulime të dyfishta dhe ndihmë nga shokët e skuadrës.
Yamal po kalon një formë të jashtëzakonshme, me 9 gola dhe 10 asistime që prej fillimit të sezonit.
Luis Enrique po shqyrton edhe alternativa të tjera, duke përfshirë Lucas Hernandezin, por Zaïre-Emery mbetet kandidati kryesor për momentin.
Dueli mes tij dhe Yamalit pritet të jetë një prej elementeve kyçe dhe vendimtare të ndeshjes.
