Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim E. Sh., i akuzuar për vrasje të rëndë në Viti, ku si pasojë e goditjes me veturë kishte vdekur A. F., ndërsa katër persona të tjerë kishin pësuar lëndime.

Përveç dënimit me burgim, gjykata ka shqiptuar ndaj të akuzuarit edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, si dhe dënimin plotësues me marrjen e lejes së vozitjes për pesë vjet.

Sipas aktgjykimit, ngjarja ka ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20:29, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti.

Sipas gjykatës, i akuzuari, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., derisa po drejtonte veturën e tij të markës “Opel Insignia”, dy herë kishte shkuar afër tavolinës ku ndodheshin të dëmtuarit, duke iu vërsulur me veturë, por pa i goditur.

Herën e tretë, sipas aktgjykimit, ai kishte devijuar nga shiriti i djathtë në atë të majtë të rrugës dhe kishte rritur shpejtësinë, duke e drejtuar veturën në drejtim të personave që po qëndronin në një tavolinë pranë sheshit.

Si pasojë e goditjes, V. G., A. S. dhe E. S. kishin pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa M. A. kishte pësuar lëndime të rënda.

A. F., për shkak të lëndimeve të rënda, ishte transferuar në repartin intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, por kishte vdekur më 10 shtator 2025.

Gjykata ka bërë të ditur se gjatë caktimit të dënimit i ka marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese. Sipas arsyetimit, të akuzuarit nuk i është shqiptuar burgim i përjetshëm, pasi në kohën e kryerjes së veprës penale kishte qenë në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore.

Kjo, sipas gjykatës, përbën pengesë ligjore për shqiptimin e burgimit të përjetshëm, në bazë të nenit 41, paragrafi 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Gjykata ka njoftuar gjithashtu se do të nxjerrë aktvendim të veçantë për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.