Presidenti i klubit bullgar i futbollit, Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, është vrarë në qytetin e Plovdivit.

Biznesmeni i njohur, i cili ishte gjithashtu pronar i kompanisë së transportit dhe logjistikës PIMK dhe aksionar kryesor i klubit Botev Plovdiv, ka ndërruar jetë pasi është qëlluar rreth orës 01:00 të së mërkurës në ambientet e një prone në qytet, raportojnë mediat lokale.

Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie, ndërsa hyrjet dhe daljet kryesore nga Plovdivi janë bllokuar përkohësisht.

Prokurorja e Qarkut të Plovdivit, Vanya Hristeva, theksoi se hetuesit po shqyrtojnë çdo mundësi për zbardhjen e krimit. “Po ndjekim në mënyrë aktive të gjitha pistat e mundshme,” deklaroi Hristeva gjatë një konference për shtyp.

Hetimet për vrasjen janë në vazhdim, megjithatë autoritetet ende nuk kanë bërë publike detaje lidhur me motivin apo identitetin e personave të dyshuar për kryerjen e krimit.