Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër brenda territorit serb, duke e lidhur këtë me atë që ai e quan “keqtrajtim” të serbëve nga autoritetet në Prishtinë.

“Ne kemi ftuar tashmë ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë për këtë çështje,” citohet të ketë thënë Vuçiq gjatë një vizite në vendin e punimeve për urën e vjetër hekurudhore në Beograd. Ai shtoi se: “Kur po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.”

Presidenti serb theksoi se Serbia është një shtet sovran dhe do të veprojë në përputhje me interesat e saj. “Ne jemi shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të tilla, ndonjëherë të tjera dhe në përputhje me to do të sillemi,” pohoi ai.

Duke iu referuar situatës së serbëve në Kosovë, Vuçiq u shpreh se ata, sipas tij, po përballen me kushte shumë të vështira dhe se Serbia po monitoron nga afër zhvillimet.

Ai shtoi gjithashtu se, për momentin, Serbia nuk e konsideron luftën me NATO-n si opsion. “Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyesni popullin tonë në Kosovë se kë e shohin si mbrojtësin e vetëm. Unë i shoh mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Është shumë e vështirë. Por, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Mendoj se nuk është,” përfundoi Vuçiq.