Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka zhvilluar një takim në Ambasadën Amerikane në Tiranë me veteranë shqiptarë dhe amerikanë. Këta veteranë kanë shërbyer në misionet ushtarake në Irak dhe Afganistan, ndërsa aktualisht janë në detyrë në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Whitaker theksoi se është gjithmonë një nder të takosh veteranët “që me guxim sakrifikojnë për sigurinë tonë të përbashkët”.

Në vijim, ai shtoi: “Sot pata mundësinë të takoj dhe të bisedoj me veteranë amerikanë dhe shqiptarë të operacioneve të NATO-s në Irak dhe Afganistan, të cilët tani shërbejnë me krenari në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Qoftë si ushtarakë në fushëbetejë, apo duke punuar në vijat e para të diplomacisë, ne ndajmë një përkushtim për paqen përmes forcës.”