Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës dhe i kombëtares së Spanjës, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me Lionel Messin, duke e cilësuar argjentinasin si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.

Në një intervistë të fundit, e raportuar nga “Gazeta Express”, talenti 18-vjeçar theksoi se nuk ka asnjë dyshim lidhur me statusin e Messit në historinë e futbollit.

“Për mua, Messi është lojtari më i mirë në histori. Nuk ka asnjë debat për këtë,” deklaroi Yamal.

Megjithatë, futbollisti spanjoll zbuloi se idhulli i tij i fëmijërisë nuk ishte Messi, por ylli brazilian, Neymar.

Sipas tij, braziliani posedonte një shkëlqim të veçantë, që e magjepsi që në moshë të vogël.

“Është e vërtetë që Messi ishte aty dhe ishte i jashtëzakonshëm, por Neymar ishte diçka krejt ndryshe. Ai ka qenë gjithmonë idhulli im. Është një yll dhe një legjendë e futbollit,” shtoi më tej sulmuesi i Barcelonës.

Pavarësisht krahasimeve të vazhdueshme me Messin, Lamine Yamal ka bërë të qartë se synon të ndërtojë rrugën e tij unike në botën e futbollit.