Ymeri kërkon hetim për vdekjen e pacientes me kancer për shkak të mungesës së terapisë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur zërin kundër Ministrisë së Shëndetësisë, duke kritikuar ashpër mungesën e terapisë për pacientët me kancer. Kjo kritikë vjen pas vdekjes së një pacienteje, e cila, sipas Shoqatës së Pacientëve me Kancer “Renesansa”, kishte mbetur rreth katër muaj pa medikamentin Palbociclib. Ymeri ka kërkuar që prokurorët të hetojnë rrethanat e kësaj vdekjeje.
Duke shprehur shqetësimin e thellë, deputetja theksoi gjithashtu rritjen alarmante të vdekjeve dhe rasteve të reja me tumore në vend.
Lidhur me reagimin e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ymeri tha se vetë shpjegimi i funksionit të barit dëshmon rëndësinë thelbësore të terapisë për ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
“Nga reagimi i QKUK-së është e kuptueshme: barnat e gjeneratës së re, duke përfshirë Palbociclib-in, janë terapi mbështetëse që synojnë ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Pikërisht kjo është thelbësore: të sigurohet ngadalësimi i përparimit të sëmundjes, çka nuk ka ndodhur në mungesë të këtij ilaçi. E njoh rastin dhe pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë. A nuk ka rëndësi nëse dikush përballet me sëmundjen për herë të parë apo për herë të dytë, nëse mungesa e terapisë është tre apo katër muaj? Ministër, meqenëse je këtu, nuk është se Albin Kurti nuk është më pak përgjegjës se ti; ai sigurisht që është më përgjegjës. Si mund të flini të qetë natën kur dikush vuan nga kanceri, ndërsa ju merreni me detaje të dorës së dytë? A e keni idenë se në 6 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 30 për qind të vdekjeve nga kanceri në spitalet rajonale dhe në QKUK? Mbi 42 për qind janë rritur rastet e reja me tumor,” deklaroi Ymeri.
