Zbardhen detaje të reja rreth vrasjes së 78-vjeçarit në Bulgarec të Korçës, trupi i të cilit u gjet nga postieri i pensioneve.

Mëngjesin e së enjtes, punonjësi i postës që shpërndan pensionet zbuloi trupin e pajetë të Gezim Vijes. Pasi kishte thirrur të moshuarin pa marrë përgjigje, ai njoftoi fqinjët. Këta të fundit, pasi hapën derën, gjetën viktimën në një nga dhomat e shtëpisë.

Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, shkaktuar me një mjet të fortë, e cila rezultoi fatale. Dyshohet se viktima është përleshur me autorin para se të goditej për vdekje.

Forcat e policisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë janë rikthyer në vendin e ngjarjes për të vijuar hetimet, megjithatë mjeti i krimit ende nuk është gjetur. Hetimet po vazhdojnë me marrjen në pyetje të familjarëve dhe të afërmve të viktimës, por deri tani, deklaratat e tyre nuk kanë dhënë informacion të vlefshëm për identifikimin e autorit.