Zbulohet arsyeja pse Callum Turner nuk mori pjesë në Festivalin “Sunny Hill”
Festivali “Sunny Hill” përmbylli me sukses një tjetër edicion në Prishtinë, duke mirëpritur yje botërorë dhe dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Megjithatë, mungesa e aktorit Callum Turner, i cili nuk e shoqëroi këtë vit këngëtaren Dua Lipa në festival, u vu re nga shumë fansa.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur aktori britanik ishte i pranishëm në Prishtinë dhe shijoi atmosferën e “Sunny Hill” përkrah Lipës, këtë herë ai ndodhej mijëra kilometra larg, në Nju Jork.
Arsyeja e mungesës së tij ishte e natyrës profesionale. Turner është i angazhuar në promovimin e filmit të tij më të ri, komedisë romantike “One Night Only”, ku luan rolin kryesor përkrah aktores Monica Barbaro.
Filmi pritet të dalë në kinema më 7 gusht, ndërsa aktori ka nisur një tur intensiv promocional me evente, takime me fansa dhe paraqitje publike në Shtetet e Bashkuara.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale e treguan Callumin në aktivitete të ndryshme promovuese në Nju Jork, pikërisht në kohën kur Dua Lipa ishte protagonistja e Festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë. Kështu, ndërsa vitin e kaluar çifti shijoi së bashku atmosferën e festivalit, këtë herë angazhimet profesionale i mbajtën ata në dy kontinente të ndryshme.
