Një grua ka humbur jetën mëngjesin e sotëm pasi u godit nga treni në Pejë.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës,Fadil Gashi, i cili tha se rasti është raportuar rreth orës 05:35.
Forenzika tanimë ka arritur në vendin e ngjarjes, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë 50-vjeçarja F. Muriqi.
“Rreth orës 05:35 policia është njoftuar se treni, i cili ishte nisur nga qyteti i Pejës, e ka goditur një person. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me autoambulancën, ndërsa mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Në vendngjarje ndodhen njësitë kompetente policore dhe prokurori i shtetit”, deklaroi Gashi.
