Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka theksuar se zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe se vendi ka nevojë thelbësore për institucione funksionale. Ai shprehu shqetësim për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar si një proces të panevojshëm në një kohë kur Kosova përballet me sfida të shumta ekonomike dhe institucionale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka theksoi se mbajtja e zgjedhjeve të reja, e cila do të ishte hera e katërt brenda dy vjetësh, është jo vetëm një proces i kushtueshëm, por edhe i panevojshëm, pasi nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në rezultatet zgjedhore. Ai bëri thirrje për kompromis dhe konsensus politik, qoftë për emërimin e presidentit/presidentes, apo për çështje të tjera politike thelbësore, me qëllim funksionalizimin e plotë të institucioneve dhe avancimin e reformave ekonomike, si dhe të proceseve të integrimit euro-atlantik.
Zeka shpreson që faktorët politikë, posaçërisht partia në pushtet, e cila mbart përgjegjësi më të madhe për shkak të numrit të votave të fituara, por edhe partitë opozitare, të nxisin idenë e konsensusit dhe të mos favorizojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Sipas Zekës, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë vendimmarrës, sidomos në aspektin e qeverisjes ekonomike. Ai vuri në dukje se që nga viti 2015 vendi nuk ka parë një reformë të re fiskale, gjë që dëmton rëndë bizneset. Përveç nevojave të bizneseve, edhe situata socio-ekonomike, duke pasur parasysh normën e lartë të inflacionit gjatë viteve të fundit, kërkon politika të qëndrueshme. Këto politika duhet të gjenerojnë rezultate konkrete dhe jo të kufizohen në dhënien e ndihmave financiare afatshkurtra, sidomos në periudhat para-zgjedhore.
Lidhur me masat fiskale, Zeka propozoi uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për një numër më të madh produktesh dhe heqjen ose uljen e akcizës për produkte të tjera, të cilat, sipas tij, do të ndihmonin në menaxhimin më të qëndrueshëm të situatës ekonomike.
Duke folur për ndikimin te qytetarët, Zeka theksoi se janë ata që mbajnë barrën më të rëndë të shtrenjtimit të jetesës. Ai shtoi se rritja e pagës minimale nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës.
Në këtë drejtim, ai përsëriti nevojën për një ekzekutiv dhe legjislativ plotësisht funksional, pasi shumë reforma kërkojnë edhe miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Zeka vlerësoi se mosfunksionimi i vazhdueshëm i institucioneve, me Kuvendin aktiv vetëm për disa muaj në gati dy vite, ka shkaktuar ngecje serioze në reformat socio-ekonomike dhe proceset e integrimit euro-atlantik.
