Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, rikonfirmoi mosnjohjen e Kosovës gjatë vizitës së tij në Serbi. Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e ekspertit të sigurisë, Lutfi Bilalli, i cili thekson nevojën që Kosova dhe Shqipëria të mos mbeten pasive në diplomaci.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Bilalli vlerësoi se Prishtina dhe Tirana duhet të reagojnë në planin diplomatik, duke i kërkuar Ukrainës më shumë maturi në qëndrimet e saj ndaj Kosovës.
Meqenëse Ukraina nuk e njeh Kosovën, Bilalli sugjeroi që Shqipëria, e cila ka marrëdhënie diplomatike me Kievin, të shfrytëzojë këtë mundësi për të kërkuar nga Ukraina një qëndrim më të përmbajtur në lidhje me njohjen e shtetit të Kosovës.
Ai theksoi se Kosova ka qenë një mbështetëse e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i luftës. Për këtë arsye, deklarata e presidentit Zelensky duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet vendase.
Bilalli shprehu shqetësimin për mungesën e “moralit dhe mirënjohjes” në politikë, duke theksuar se deklarata e tillë është një çështje që duhet të na brengosë. Ai përfundoi duke kërkuar që Kosova dhe Shqipëria të jenë të përgatitura dhe të mos qëndrojnë pasive në arenën diplomatike.
