**Zgjedhjet në Serbi: Mobilizim për votimin e listës shqiptare**
Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, e cila mban numrin 17.
Në ditën e votimeve, shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe atyre në Kosovë, u është bërë thirrje të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të mbështesin listën e përbashkët shqiptare, me synimin për të siguruar përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë.
Thirrjet për mobilizim janë bërë nga përfaqësues të shumtë politikë shqiptarë, duke përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Mbështetje dhe thirrje për pjesëmarrje në votime kanë dhënë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, si Vlora Çitaku e PDK-së, Lutfi Haziri i LDK-së dhe përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Bashkimi i partive politike shqiptare në një listë të vetme synon të rrisë fuqinë përfaqësuese të shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe të forcojë zërin e tyre në Parlament.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Sipas Komisionit Zgjedhor Republikan, në këto zgjedhje janë regjistruar 6.450.523 votues dhe garojnë gjithsej 18 lista zgjedhore.
Serbët nga Kosova mund të votojnë në vendvotimet e caktuara në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Rezultati i votimit për Koalicionin Shqiptar pritet të tregojë nivelin e mobilizimit të elektoratit shqiptar dhe peshën që do të ketë përfaqësimi i tij në përbërjen e re të Parlamentit të Serbisë.
