**Historia e Shqiptarëve, Pjesë e Kurrikulave Shkollore në Izrael**

Ish-ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka njoftuar se historia e shqiptarëve tashmë është përfshirë në programet mësimore të shkollave izraelite. Kjo iniciativë, sipas Zivit, vjen si shenjë vlerësimi për lidhjet e thella historike mes dy popujve, të cilat ajo i konsideron thelbësore dhe të paharrueshme.

Gjatë një interviste për Kanal 10, ish-ambasadorja shpjegoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, është hartuar një kapitull i veçantë që trajton historinë e përbashkët të hebrenjve dhe shqiptarëve.

“Ne krijuam së bashku me Ministrinë e Arsimit një kapitull të veçantë për të përfshirë historinë e hebrenjve dhe atë të shqiptarëve. Tashmë, historia e shqiptarëve mësohet edhe në shkollat e Izraelit,” ka deklaruar Ziv.

Në bisedën e saj, Ziv theksoi rëndësinë e kësaj historie të përbashkët dhe potencialin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.