Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit.

Sipas njoftimit të ministrisë, pesë prej këtyre vatrave janë ende aktive, por janë vënë nën kontroll dhe po punohet intensivisht për shuarjen përfundimtare të tyre.

Në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook, theksohet se në operacionet e zhvilluara në zona si Kavaja, Fieri, Lezha, Elbasani dhe Divjaka, janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, mjete tokësore dhe ajrore, si dhe efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera emergjente.

Ministria saktëson se: “Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe vatra të tjera u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 30 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, si dhe forca të Policisë së Shtetit, FNSH, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.”