Një person është shoqëruar në Komisariatin e Vlorës, i dyshuar se ka vënë zjarrin në zonën e bypass-it të qytetit, nga ku flakët përfshinë mbrëmjen e së premtes edhe lagjen 1 në Himarë.
I shoqëruari është një çoban i zonës, i cili kulloste bagëtitë në territorin pranë bypass-it.
Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, ai mund të ketë lidhje me shkaktimin e zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Zjarri, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi, duke dalë jashtë kontrollit dhe duke rrezikuar banesa e biznese. Gjashtë banesa u dogjën plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, raporton Euronews.al.
Për shkak të rrezikut, banorët dhe turistët në zonë u detyruan të evakuoheshin nga banesat dhe strukturat ku qëndronin.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave punuan gjatë gjithë natës për të izoluar flakët dhe parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Në orët e mëngjesit, situata u vu nën kontroll, ndërkohë që puna vijon për shuarjen përfundimtare të vatrave të fundit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e personit të shoqëruar dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
