Punëtorët e Komunës së Leposaviqit kanë hyrë e dalë gjatë gjithë vitit 2025, por nuk është evidentuar askund vijueshmëria e tyre në punë.

As përmes pajisjeve elektronike dhe as përmes dokumentacionit fizik, Auditori nuk ka arritur të dëshmojë praninë e punonjësve në hyrje dhe dalje.

Në këtë periudhë të qeverisjes nga Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë rishikimeve është konstatuar mungesë e plotë e dëshmive për evidentimin e vijueshmërisë së punonjësve.

“Komuna e Leposaviqit përdor evidencën fizike për vijueshmërinë në punë, përmes listave ditore ku punonjësit nënshkruhen për të dëshmuar prezencën e tyre por gjatë vitit 2025 nuk na janë ofruar dëshmi për evidentimin e punonjësve.

Gjithashtu, edhe pse në muajin dhjetor 2024 është instalua pajisje elektronike për monitorimin e vijueshmërisë, ajo ende nuk është funksionale. Arsyeja është se një pjesë e zyrtarëve nuk posedojnë ID-të elektronike që i identifikojnë si punonjës të Komunës, çka e pamundëson përdorimin efektiv të këtij sistemi.”

ZKA vlerëson se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e zyrtarëve përgjegjës për këtë fushë, raporton Klankosova.tv

Për rrjedhojë, raporti thekson se mungesa e evidencës përbën dobësi serioze në menaxhimin e stafit dhe krijon hapësirë për pagesa të parregullta apo fiktive të zyrtarëve që mund të mos respektojnë orarin e punës.

Prandaj, rekomandohet ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin e evidencës së rregullt të vijueshmërisë, qoftë përmes nënshkrimeve fizike, qoftë përmes sistemit elektronik të monitorimit.

Kujtojmë se Hetemi ka udhëhequr këtë komunë deri në dhjetor të vitit 2025, kur pas përfundimit të mandatit, drejtimin e ka marrë Zoran Todiq.