Pas valës së të nxehtit që përfshiu vendin gjatë verës, shumica e qytetarëve zviceranë po kërkojnë masa të prekshme kundër ndryshimeve klimatike, duke përfshirë rinovimin energjetik të ndërtesave dhe instalimin e paneleve diellore.
Këtë e tregon një sondazh i fundit i kryer nga ‘20 Minuten’ dhe ‘Tamedia’, të dhëna të transmetuara nga ‘albinfo.ch’.
Afro tre të katërtat e të anketuarve e konsiderojnë urgjente ndërmarrjen e masave kundër ngrohjes globale, ndërsa rreth një e katërta nuk shohin nevojën për masa shtesë. Vërehet një mbështetje dukshëm më e lartë për forcimin e politikave mjedisore te gratë, me 60%, krahasuar me 43% te burrat.
Rinovimi energjetik dhe përmirësimi i izolimit të ndërtesave gëzojnë mbështetjen më të madhe, të favorizuara nga katër në pesë persona të anketuar. Kjo masë ka mbështetje të gjerë edhe përtej ndarjeve politike, me 89% të votuesve të të Gjelbërve dhe 72% të mbështetësve të SVP/UDC që shprehen në favor. Gjithashtu, 62% e qytetarëve mbështesin më shumë ndihmë federale për bujqësinë, për t’u përballur me humbjet nga nxehtësia dhe thatësira, ndërsa 58% dëshirojnë një nxitje më të madhe të trenave të natës.
Edhe “Iniciativa Solare” ka mbështetje të konsiderueshme, ku 71% e qytetarëve deklarohen “pro” ose “më shumë pro” propozimit që parashikon instalimin e detyrueshëm të sistemeve solare në ndërtesat e reja dhe gjatë rinovimit të çative. Megjithatë, Këshilli Federal rekomandon refuzimin e saj.
Sondazhi u krye më 19 dhe 20 gusht, me pjesëmarrjen e 12,780 personave në mbarë Zvicrën, në bashkëpunim me institutin ‘Leewas’. Marzhi i gabimit është 1.4 pikë përqindjeje.
