FC Malisheva ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me kryetrajnerin Elon Berisha, si dhe me ndihmësit e tij, Kastriot Rexha dhe Fitim Shabani.

Sipas komunikatës së lëshuar nga klubi, ky vendim është marrë me marrëveshje të ndërsjellë pas ndeshjes së fundit. Vetë trajneri Berisha ka marrë përgjegjësinë për rezultatet, çka ka çuar në arritjen e një konsensusi me menaxhmentin për përfundimin e angazhimit.

Klubi nga Malisheva shprehu falënderime për kontributin e stafit teknik gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar lart profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e treguar, si dhe rezultatet e arritura.

Në komunikatë theksohej gjithashtu se dyert e klubit mbeten të hapura për ta edhe në të ardhmen. Ndërkohë, FC Malisheva do të analizojë me kujdes hapat e radhës në funksion të arritjes së objektivave të saj sportive.