Adoleshenti nga Shkodra Dorëzon Portofolin me 6 Mijë Euro: Paratë i fitoj me djersë

Një 16-vjeçar nga Shkodra, Erind Shkambaj, është bërë protagonist i një ngjarjeje që ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare. Erindi gjeti një portofol që përmbante shumën prej 6 mijë eurosh dhe pa hezitim e dorëzoi në ambientet e Policisë.

Në një intervistë për emisionin “Goodmorning Albania”, adoleshenti tregoi detaje rreth ngjarjes. Ai shpjegoi se, pasi e gjeti portofolin në rrugë, priti për rreth 30 minuta në vendin ku e gjeti, me shpresën se do të shfaqej pronari. Vetëm pasi nuk u paraqit askush, ai u drejtua drejt komisariatit.

I pyetur për vendimin e tij, Erindi u shpreh se nuk kishte pasur asnjë dyshim në dorëzimin e parave. Ai theksoi se familja e kishte edukuar me parimin se e vetmja pasuri që vlen është ajo e fituar me mund dhe ndershmëri.

Siç u shpreh ai, “Ne si familje nuk i pëlqejmë paratë e gjetura, vlerësojmë vetëm ato që vijnë nga djersa jonë.”

Erindi rrëfeu se edhe efektivët e policisë ishin befasuar nga gjesti i tij dhe nga shuma e konsiderueshme e parave të gjetura brenda portofolit.

Portofoli rezultoi t’i përkiste një shtetasi italian, i cili, në shenjë mirënjohjeje, i ofroi 16-vjeçarit një shpërblim prej 100 eurosh për veprimin e tij fisnik.