Situata e zjarreve në Shqipëri po përmirësohet, me vetëm gjashtë vatra që mbeten aktive në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit, u raportuan gjithsej 40 vatra zjarri, prej të cilave 25 janë shuar plotësisht, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 6 vazhdojnë të jenë aktive.
Në operacionet për menaxhimin e kësaj situate janë angazhuar 492 forca operacionale vendore dhe lokale, si dhe 36 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura (FA) kanë dhënë mbështetje me 133 efektivë, 1 helikopter, 2 autozjarrfikëse, 13 mjete të tjera, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë aktiv, por pa rrezik për zonat e banuara. Dje, në operacion u përfshinë strukturat vendore, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Forcat e Armatosura. Sot, FA do të dislokojë 30 efektivë në Dajt për të mbështetur operacionet në terren. Vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe po mbahet nën monitorim.
Në Qarkun Dibër, vatrat aktive vazhdojnë të jenë në Lundre-Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë, ku po punojnë struktura zjarrfikëse, pyjore, bashkiake dhe të emergjencave civile. Vatra në Qafën e Helmes është nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa ato në Rragam-Bardhaj-Myselim dhe Malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk raportohet asnjë rrezik për banesat. Sot, 20 efektivë të Forcave të Armatosura do të angazhohen në Rragam, Shkodër, për të mbështetur operacionet në terren.
Në Qarkun Fier, zjarri në Çërrilë, Mallakastër, mbetet aktiv në një sipërfaqe me pyll pishe, lis dhe shkurre. Dje, FA mbështeti operacionin me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete. Sot, 30 efektivë të FA do t’i bashkohen operacioneve në Çërrilë, Mallakastër, në mbështetje të strukturave që vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose mbahen nën mbikëqyrje.
Për ditën e sotme, Forcat e Armatosura kanë planifikuar angazhimin e të paktën 80 efektivëve në Dajt, Çërrilë dhe Rragam, krahas strukturave vendore dhe forcave të tjera operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të monitorojë vazhdimisht situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
