Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në një kantier ndërtimi në Ferizaj, pasi u konstatuan shkelje të rënda që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Ky vendim vjen pas inspektimeve të kryera nga IQP, si pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
Gjatë inspektimit, u zbuluan shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat përbënin një rrezik të lartë për punëtorët. Për pasojë, IQP mori vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në kantier deri në eliminimin e plotë të të gjitha parregullsive të evidentuara.
Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta. Kompania përgjegjëse është detyruar të rregullojë të gjitha mangësitë e konstatuara, ndërsa punimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë e shëndetit në punë.
IQP thekson angazhimin e tij për zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cënon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Njëkohësisht, Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet një prioritet i panegociueshëm.
