Në diskutimin për emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, pati kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

“S’i vjen marre qeverisë, s’i vjen marre Albin Kurtit, se 20 vjet ka gjuajtur gurë dhe e ka kallur këtë vend, kanë shkuar njerëzit në burg, kanë shkuar themeluesit e Vetëvendosjes në burg me qëllimin që duhet të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit. E sot, pas 20 vjetësh, i vjen kërkesë Kuvendit për të emëruar bordin e ri të drejtorëve. Pse nuk u shua Agjencia Kosovare e Privatizimit? Si ndihen themeluesit e Vetëvendosjes sot? Si ndihen ata aktivistë të devotshëm sot? Për këtë i vjen marre Albin Kurtit, i vjen marre ministrave të tij, dhe duhet Elbert Krasniqi, që s’është i Vetëvendosjes, të dalë ta prezantojë. Këtu çfarë niveli, çfarë shkalle! Duhet të reflektojë secili deputet dhe nuk duhet ta votojë, posaçërisht ata deputetë që janë prej themelimit dhe që kanë shkuar në burg për kauzën që kjo duhet të shuhet”, tha ai.

Me këtë rast, i ndërhyri kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke e pyetur se për kë e kishte fjalën kur përmendi “nivelin”.

Ai iu përgjigj Haxhiut.

“E kam fjalën për nivelin që të mos ketë konsistencë në kauzë. Domethënë, të kërkosh votat dhe të marrësh mbështetjen popullore duke thirrur për mbrojtjen e aseteve shtetërore, e kur vjen në pushtet të vazhdosh avazin edhe më dëmshëm dhe më abuzues sesa që e ke sulmuar. Pse po e them këtë? Ndër këta anëtarë të propozuar, tre prej tyre i keni në procedurë penale për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, që ky subjekt thotë se po e lufton. Jam duke folur për këtë nivel. Pra, është ditë dhe është moment që shumë saktë e ka treguar fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit dhe kësaj klase politike që bëjnë gjithçka për t’i fituar votat, e kur vijnë në pushtet të gjitha qëndrimet i ndryshojnë, të gjitha kauzat i djegin dhe nuk kanë idealizëm të sinqertë për institucionet e këtij vendi, por vetëm qëllimin e kanë të abuzojnë, t’i përdorin për qëllime të tyre personale dhe ta shkatërrojnë e ta varfërojnë këtë popull, siç janë duke e bërë.

Pra sot u bëj thirrje deputetëve të Vetëvendosjes që janë prej themelimit dhe që kanë qenë idealistë konsistentë, të mos e votojnë. Të mos e votojnë dhe ta kundërshtojnë më zëshëm sesa unë këtë qasje dhe këtë qëllim e këtë propozim që ju ka ardhur”, tha Tahiri.