Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se as ata nuk do të jenë pjesë e seancës për zgjedhjen e Presidentit.
Ai u shpreh se diskutimet për këtë çështje kanë qenë vetëm një spektakël politik.
“Diskutimet për zgjedhjen e Presidentit kanë qenë një spektakël politik, me një qëllim të vetëm, me ardhë në këtë situatë. Ne ende nuk kemi asnjë emër, përveç emrave të cilët i ka propozuar VV-ja dhe që janë zyrtar të VV-së dhe nuk janë konsensual”, tha ai.
Tahiri gjithashtu tha se ky duket si një diskutim për të folur vet me vete dhe tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
“AAK-ja s’ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk kemi marrë pjesë, rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike, kësaj radhe siç po shihet do të jetë një performancë publike, një diskutim me fol vet me vete”.
“Kjo seancë është edhe një vazhdim i një spektakli publik, politik që po e çon vendin në zgjedhje. Ne nuk marrim pjesë në këtë, nuk kemi marrë pjesë as atëherë dhe e shohim këtë veprim vetëm një seancë për të folur vet me veti, me kolegë të partisë së vet”, tha ai.
