Pesë fëmijë nga Ukraina dhe Rusia janë ribashkuar me familjet e tyre në kuadër të një nisme të lehtësuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Sipas njoftimit, iniciativa mori hov pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të mbajtur në Alaska në gusht të vitit të kaluar.

Gjatë asaj periudhe, Melania Trump i kishte shkruar Putinit lidhur me fatin e fëmijëve ukrainas që pretendohet se janë rrëmbyer gjatë luftës, raporton Sky News.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë paralajmëruar vazhdimisht se Rusia ka zhvendosur me forcë dhe ka rrëmbyer fëmijë ukrainas gjatë konfliktit.

Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump tha se ribashkimi i fëmijëve me familjet e tyre duhet të jetë prioritet mbi çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare.

“Ndërsa diplomacia dhe ndërtimi i paqes janë të rëndësishme për këtë përpjekje, ato tejkalohen nga aftësia jonë e përbashkët për t’i vendosur fëmijët mbi mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Çdo ribashkim është një kujtesë se dhembshuria, dinjiteti dhe familja mund të triumfojnë edhe në kohët më të errëta – gjatë luftës”, deklaroi ajo.