Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ashpër ndaj raportit të fundit ndërkombëtar që e rendit Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë. Ai ka theksuar se Kosova po “fundoset ekonomikisht”.

Përmes një postimi në Facebook, Shahini theksoi se AKB-ja e konsideron këtë renditje si një shqetësim kombëtar dhe dështim institucional. Ai iu referua raportit të fundit ndërkombëtar mbi Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse (PPP), ku Kosova renditet në pozitën e fundit në kontinent.

Shahini theksoi se ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po pëson Kosova prej vitesh. Ai e cilësoi të papranueshme që një vend me burime të mëdha njerëzore në rajon, me një diasporë të fuqishme dhe me potencial zhvillimi, të vazhdojë të mbetet ndër të fundit në Evropë për mirëqenie ekonomike.

AKB-ja vlerëson se institucionet e Kosovës kanë dështuar të krijojnë politika serioze zhvillimore dhe një ambient të favorshëm për bizneset dhe investitorët. Ndërkohë që vendet e rajonit po përparojnë me investime, prodhim dhe eksporte, Kosova vazhdon të mbijetojë nga diaspora, importi dhe konsumi.

Bizneset në Kosovë po përballen çdo ditë me rritje të vazhdueshme të kostos së energjisë, mungesë të mbështetjes shtetërore, pasiguri ekonomike dhe politike, burokraci të rëndë, ekonomi joformale, konkurrencë të padrejtë, si dhe mungesë të një strategjie për prodhimin vendor.

AKB-ja thekson se është një turp ekonomik dhe institucional që Kosova sot renditet pas shumicës së vendeve të rajonit, ndërsa qytetarët po shpërngulen masivisht nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

AKB-ja paralajmëron se pa ndryshime urgjente në politikat ekonomike dhe pa një trajtim serioz të sektorit privat, Kosova rrezikon të thellojë edhe më shumë varfërinë, papunësinë dhe varësinë ekonomike.

Prandaj, AKB-ja kërkon një paketë emergjente për mbështetjen e prodhimit vendor, uljen e barrës fiskale për bizneset, ndërprerjen e politikave që rëndojnë sektorin privat, hartimin e një strategjie kombëtare për investime dhe eksporte, si dhe një dialog të sinqertë institucional me komunitetin e biznesit.

Agim Shahini e përfundoi deklaratën e tij duke theksuar se “Kosova nuk mund të ndërtojë zhvillim ekonomik me propaganda politike, por vetëm me ekonomi reale, prodhim, investime dhe partneritet me biznesin”.