Avokati i Thaçit kritikon Gjykatën e Apelit: Janë refuzuar 40 ankesa
Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që vepron në kuadër të Dhomave të Specializuara të Hagës. Përmes një postimi në platformën X, Mishetiq bëri të ditur se të gjitha apelet e paraqitura në rastin e Thaçit janë refuzuar, pavarësisht kohës pesëvjeçare e gjysmë që ish-presidenti po mbahet në paraburgim.
Sipas avokatit, Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar secilën prej tyre. “Kjo do të thotë 0 nga 40,” theksohet në postimin e Mishetiqit.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ka dorëzuar gjithsej 40 ankesa ndërmjetëse gjatë gjykimit për krime lufte në Hagë, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë miratimin e Panelit të Apelit.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkë të pandehurve, i cili nisi zyrtarisht më 3 prill 2023, po i afrohet fundit. Vendimi final pritet të shpallet më 20 korrik 2026.
Përveç Hashim Thaçit, në këtë gjykim janë të pandehur edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kërkesë që është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja e tyre.
