Irani ka hapur një sistem zyrtar tarifash për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit njoftoi të hënën hapjen e një llogarie zyrtare në platformën X (ish-Twitter) për Autoritetin e Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA), një organ që Teherani pohon se do të menaxhojë tranzitin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe do të mbledhë tarifa kalimi. Ky veprim formalizon një sistem që, sipas autoriteteve, ka qenë funksional që nga marsi.
Sipas këtij mekanizmi, anijet që synojnë të kalojnë nëpër ngushticë duhet të aplikojnë përmes adresës zyrtare të postës elektronike të PGSA-së. Në aplikim, duhet të dorëzohen të dhëna mbi pronësinë, sigurimin, listën e ekuipazhit, deklaratat e ngarkesës dhe itinerarin e planifikuar.
Leja e tranzitit do të lëshohet vetëm pas miratimit nga autoriteti dhe kryerjes së pagesës përkatëse të tarifës. Deri më tani, një tarifë zyrtare nuk është publikuar. Megjithatë, raportet sugjerojnë se disa anije kanë paguar deri në 2 milionë dollarë (rreth 1.7 milionë euro) për kalim, me pagesa të kryera edhe në juan kinez.
Autoriteti funksionon si një strukturë administrative, në koordinim me Marinën e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila ushtron kontrollin fizik mbi lëvizjen e anijeve në këtë rrugë detare. IRGC është përcaktuar si organizatë e huaj terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Njoftimi vjen pas javësh pasigurie dhe rreziku në rrugët e lundrimit në këtë zonë strategjike. Pasi Teherani deklaroi në mars se do të vendoste pagesa për një kalim të sigurt, në treg u shfaqën operatorë të dyshimtë që ofronin dokumente jozyrtare tranziti në këmbim të pagesave me kriptovaluta. PGSA synon të zëvendësojë këtë treg informal me një kanal të vetëm zyrtar.
Ebrahim Azizi, kryetar i Komitetit Parlamentar Iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, tha në një intervistë televizive se Teherani ka përgatitur një mekanizëm për menaxhimin e trafikut detar në Hormuz, përmes një rruge të caktuar, dhe se detaje të mëtejshme do të bëhen publike së shpejti. Ai shkroi në platformën X se vetëm anijet tregtare që bashkëpunojnë me Iranin do të përfitojnë nga ky mekanizëm, dhe se do të aplikohen tarifa përkatëse.
Në disa tabela të vendosura në sistemin e metrosë së Teheranit, pretendohet se Irani mund të gjenerojë deri në 100 miliardë dollarë në vit nga të ardhurat e Ngushticës së Hormuzit. Kjo shifër ka qarkulluar në mediat iraniane, së bashku me propozime për monetizimin edhe të kabllove të të dhënave që kalojnë në këtë korridor detar.
Sipas UNCLOS – Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit – Ngushtica e Hormuzit konsiderohet zonë e kalimit tranzit, e cila garanton lëvizjen e pandërprerë të transportit detar ndërkombëtar. Irani e ka nënshkruar këtë konventë, por ende nuk e ka ratifikuar.
Shtetet e Bashkuara, vendet e Gjirit dhe shtetet evropiane e kanë kundërshtuar legjitimitetin e një regjimi të tillë tarifor nga Irani. Ato kanë deklaruar vazhdimisht se lundrimi i lirë në këtë ngushticë duhet të mbetet pa tarifa apo kufizime shtesë.
Kjo rrugë ujore, rreth 35 kilometra e gjerë në pikën më të ngushtë, transporton afërsisht një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të tregtuar në botë përmes detit.
Mediat amerikane raportojnë se numri i cisternave të naftës të grumbulluara pranë ishullit Kharg – terminali kryesor i eksportit të naftës bruto të Iranit – ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i tensioneve detare, duke sugjeruar një rritje të presionit mbi eksportet iraniane.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi të hënën se sanksionet amerikane ndaj naftës mund të pezullohen përkohësisht gjatë negociatave, ndërsa Teherani vazhdon të kërkojë heqjen e plotë të tyre. Mediat pakistaneze kanë raportuar gjithashtu se Islamabadi i ka përcjellë Uashingtonit një propozim të rishikuar iranian, ndërsa kryeministri Shehbaz Sharif ka shprehur optimizëm për rifillimin e bisedimeve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se “kur u prezantua plani me 14 pika, pala amerikane paraqiti vërejtjet e saj, dhe ne nga ana jonë paraqitëm gjithashtu konsideratat tona”.
