Ferizaj | Rasti i Bekim Varit, seanca gjyqësore gati të nisë; priten katër dëshmitarë
Sot, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pritet të mbahet seanca gjyqësore për rastin e Bekim Varit, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik që nga fillimi i këtij viti. Gjatë seancës parashikohet të paraqiten katër dëshmitarë.
Bekim Vari u raportua i zhdukur nga familjarët e tij më 29 janar, ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet më 5 shkurt në një zonë malore të fshatit Manastirc, po në Ferizaj.
Rasti mori vëmendje të madhe, veçanërisht pas publikimit të pamjeve ekskluzive nga Indeksonline, që shfaqnin momentet e fundit të viktimës. Këto pamje, të regjistruara në një vilë në fshatin Manastirc, tregonin Bekimin së bashku me Leutrim Fejzën, i cili tashmë konsiderohet i dyshuari kryesor për vrasjen.
Sipas informacioneve zyrtare, Leutrim Fejza, 27 vjeç, nga fshati Pleshinë e Ulët, aktualisht ndodhet në paraburgim. Ai dyshohet për vrasje të rëndë dhe privim mizor nga jeta i Bekim Varit, për motive që ende nuk janë bërë publike nga organet hetuese.
Në seancën e sotme pritet të paraqiten prova dhe dëshmi të reja në lidhje me rastin, ndërsa procesi gjyqësor po ndiqet me interes të madh nga qytetarët dhe media.
