Operacion në Prizren: Sekuestrohen ar e argjend me vlerë mbi 460 mijë euro, katër persona nën hetime

Prizren, 21 Maj 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje rreth një aksioni të zhvilluar të mërkurën, ku janë bastisur gjashtë biznese dhe tri shtëpi banimi. Gjatë këtij operacioni u sekuestrua një sasi e konsiderueshme ari dhe argjendi i padeklaruar, me vlerë totale mbi 460 mijë euro, si dhe dy armë pa leje. Katër persona janë vënë nën hetim për vepra penale lidhur me shmangien nga taksat dhe doganat, por janë liruar në procedurë të rregullt.

Operacioni u krye në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Kontrollet u realizuan më 20 maj 2026, pas veprimeve hetimore të nisura që nga data 19 shtator 2025.

Gjatë kontrolleve në gjashtë lokalet afariste dhe tri shtëpitë, u siguruan dëshmi materiale dhe u gjetën:
– 3.775,33 gramë ar i padeklaruar, me vlerë të përafërt rreth 455.000 euro;
– 4.204,98 gramë argjend i padeklaruar, me vlerë të përafërt rreth 8.900 euro.
Vlera totale e arit dhe argjendit të sekuestruar kalon 460.000 euro.

Rastet janë iniciuar ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” (neni 307) dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” (neni 312), sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme, u sekuestruan dy pistoleta pa leje, duke iniciuar rast edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366).

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar përkushtimin e saj në ndjekjen e rasteve të evazionit fiskal, shmangies doganore dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit ekonomik. Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.