Turmë e zemëruar i vë flakën qendrës së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos

Një grup i indinjuar banorësh dogjën pjesërisht një qendër trajtimi të Ebolës në epiqendrën e shpërthimit të sëmundjes, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Ngjarja ndodhi pasi familjarët dhe miqtë e një të riu, i cili dyshohej se kishte vdekur nga virusi, u penguan të merrnin trupin e tij për varrim.

“Ata nisën të hidhnin objekte drejt spitalit. Madje i vunë flakën tendave që shërbenin si reparte izolimi,” – citoi politikani vendas Luc Malembe Malembe për BBC-në, duke përshkruar skenën që pa në Spitalin e Përgjithshëm Rwampara.

Për të shpërndarë turmën, policia qëlloi me armë në ajër.

Trupat e viktimave të Ebolës janë shumë infektivë, prandaj autoritetet duhet të sigurojnë varrime të sigurta për të parandaluar përhapjen e virusit.

Punonjësit mjekësorë në spitalin Rwampara, pranë qytetit Bunia në provincën Ituri – ku janë shënuar pothuajse të gjitha rastet e Ebolës – u vunë nën mbrojtje ushtarake, ndërsa policia ndërhyri për të rivendosur rendin.

Një punonjës shëndetësor u plagos nga protestuesit që hidhnin gurë, përpara se të ndërhynin forcat e rendit, sipas një zyrtari të spitalit për agjencinë e lajmeve AFP.

Jean Claude Mukendi, koordinator i reagimit të sigurisë ndaj Ebolës në Ituri, i tha Associated Press se burri që vdiq ishte një figurë popullore në komunitetin lokal dhe se ata që ishin të pikëlluar nga vdekja e tij nuk e “kuptonin realitetin e sëmundjes”.

Dëshmitarët i thanë Reuters se i riu ishte një futbollist që kishte luajtur me disa ekipe vendase. Nëna e tij, ndërkohë, i tha agjencisë së lajmeve se besonte që djali i saj kishte vdekur nga ethet tifoide, jo nga Ebola.