Hykmete Bajrami, përfaqësuese e LDK-së, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shpërndarjen e lajmeve të rreme në lidhje me të. Ajo mohoi pretendimet se gjoja ka thënë që LDK-ja do t’i ndalë shtesat për fëmijë.
Bajrami theksoi se po qarkullon një lajm i fabrikuar, i cili i atribuon asaj deklaratën se “LDK do t’i ndalë shtesat për fëmijë”.
Në reagimin e saj, ajo u shpreh se në qeverisjen e LDK-së, shtesat për fëmijë do të rregullohen me ligj dhe do të jenë të garantuara e të qëndrueshme.
“Stop propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo deklaratë është e rreme dhe e fabrikuar. Asnjëherë nuk kam thënë se shtesat për fëmijë duhet të ndalen. Me LDK-në në qeverisje, mbështetja për familjet dhe fëmijët nuk do të përdoret si kërcënim gjatë fushatave zgjedhore. Shtesat do të rregullohen me ligj, do të jenë të garantuara dhe të qëndrueshme. Më vjen keq që për gjashtë vjet nuk keni asnjë rezultat, po mundoheni të dëmtoni oponentët politikë me shpifje. Jeni të mjerë,” ka thënë Bajrami.
