Jessie J triumfon ndaj kancerit të gjirit, shpallet plotësisht e shëruar
Këngëtarja e njohur Jessie J ka ndarë me fansat e saj një lajm tejet të gëzuar, duke bërë të ditur se ka fituar betejën me kancerin e gjirit, pas gati një viti luftëje me sëmundjen. Artistja britanike konfirmoi se rezultatet e analizave të fundit dëshmojnë se ajo është tashmë plotësisht e shëruar, moment të cilin e përshkroi si një ndër më emocionuesit e jetës së saj.
Në një video të postuar në Instagram nga spitali, pak para një ekzaminimi me rezonancë magnetike, këngëtarja foli hapur për frikën dhe ankthin që kishte përjetuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Ajo pranoi se vuan nga klaustrofobia dhe se procedura kishte qenë mjaft sfiduese emocionalisht, por pavarësisht kësaj zgjodhi të përcillte pozitivitet dhe shpresë për ndjekësit e saj.
“Jam zyrtarisht e pastër nga kanceri”, shkroi Jessie J në rrjetet sociale, duke treguar se kishte shpërthyer në lot sapo kishte marrë lajmin e shumëpritur. Sipas saj, ishte hera e parë pas shumë muajsh që ndiente një frymëmarrje të lirë dhe një qetësi të vërtetë.
Rrugëtimi i vështirë i artistes nisi në qershorin e vitit të kaluar, kur mjekët i diagnostikuan sëmundjen në fazë të hershme. Pas kësaj, ajo iu nënshtrua një mastektomie (ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e gjirit), ndërsa më vonë u përball edhe me shtyrje të ndërhyrjeve të tjera, gjë që e rëndoi situatën edhe psikologjikisht.
