Visar Xani i LDK-së akuzon për keqpërdorim elektoral shpërndarjen e 100 eurove pak para zgjedhjeve
Visar Xani, kandidat për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka cilësuar si keqpërdorim elektoral dhe shpërdorim të fondeve publike mënyrën e shpërndarjes së shtesave prej 100 eurosh nga partia në pushtet, vetëm 16 ditë para zgjedhjeve.
“Kjo është absolutisht keqpërdorim elektoral, keqpërdorim i fondeve publike, jo ndarja e tyre si e tillë, por mënyra se si janë ndarë. Nuk mund të ndash buxhet pak ditë para zgjedhjeve, madje mundësisht të ndodhë që transferi i parë të bëhet të premten dhe të dielën të dalin të votojnë qytetarët e Kosovës,” u shpreh Xani në emisionin “Tempus” në T7.
Gjithashtu, Xani theksoi se nuk e mohon nevojën e qytetarëve për ndihmë, por vlerësoi se qëllimi i Qeverisë me këtë veprim është vetëm forcimi i pozitës së saj dhe marrja e një numri më të madh votash.
“E gjithë kjo nuk ka të bëjë me ndihmën ndaj qytetarëve, por me ndihmën ndaj vetes, për t’u forcuar dhe për të marrë më shumë vota. Nuk diskutohet që qytetarët kanë nevojë për ndihmë, por ndihma e dhënë vetëm me kalkulime elektorale, kjo është e padrejtë, josinqertë dhe keqpërdorim total i buxhetit të vendit,” shtoi Xani.
Po ashtu, ai theksoi se LDK-ja nuk ka në plan t’i ndalë shtesat nëse vjen në pushtet, por ato do të standardizohen dhe do të kenë një bazë të qartë ligjore.
