Osmani: Me ngulm i kam kërkuar SHBA-së t’i japë edhe një shans Kurtit, kam mbrojtur çdo veprim të qeverisë
Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mohuar zërat se ajo ka sulmuar qeverisjen e Albin Kurtit në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se e vërteta është krejt e kundërta.
Osmani deklaroi se ajo e ka mbrojtur dhe arsyetuar çdo veprim të qeverisë, dhe se i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që ta takojnë kryeministrin Kurti dhe t’i japin atij “edhe një shans”.
“Në tituj tentojnë të pretendojnë kinse i kam sulmuar ndërkombëtarisht, por ka ndodhur komplet e kundërta. Çdo veprim është mbrojtur, çdo veprim është arsyetuar. Madje kam kërkuar nga SHBA-ja me ngulm që ta takojnë kryeministrin, në çdo takim kam kërkuar që ta takojnë, t’i japin një shans, ‘ju lutem jepjani edhe një shans’. Kjo ka qenë kërkesa ime e vetme”, citohet të ketë thënë Osmani në një intervistë për Kanal10.
