Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se mosrespektimi i marrëveshjes së Uashingtonit, e cila parashikonte ndërtimin e një rrjeti dhe centrali energjetik me gaz amerikan, i ka kushtuar Kosovës miliona euro.

Marrëveshja, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, kishte për qëllim ndërtimin e infrastrukturës energjetike me gaz. Sipas Hotit, ky central do të ishte plotësues i termocentraleve ekzistuese, duke rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë dhe duke e bërë Kosovën të pavarur energjetikisht për të paktën dy dekada. Gjatë kësaj periudhe, do të investohej edhe në burime të tjera si thëngjilli, burimet e ripërtëritshme dhe projekte të përbashkëta hidroenergjetike me Shqipërinë.

Megjithatë, Hoti thekson se kjo marrëveshje nuk u respektua nga Qeveria e Kosovës, e cila mori detyrën në mars të vitit 2021. Si pasojë, Kosova sot importon qindra miliona euro energji elektrike çdo vit, përmes kontratave dhe kompanive që kanë ngjallur dyshime të shumta në publik.

Ish-kryeministri kujton se shumica aktuale në pushtet, asokohe, e konsideronte marrëveshjen si të dëmshme për vendin. Ai shton se, gjatë negociatave të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, partia që sot është në pushtet dhe mbështetësit e saj dorëzuan kërkesa për interpelancë me Kryeministrin e atëhershëm, duke e cilësuar marrëveshjen të dëmshme dhe madje i referoheshin Shtëpisë së Bardhë, ku ishin marrë vendime thelbësore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si “Shtëpia e Verdhë”.

Sot, sipas Hotit, qëllimi i tyre është i qartë: pamundësimi i arritjes së pavarësisë energjetike të Kosovës. Ai i bën thirrje kujtdo që i shërbeu këtij qëllimi, qoftë me apo pa vetëdije, të ndjejë përgjegjësi publike dhe të ofrojë një ndjesë si hap të parë drejt ecjes në drejtimin e duhur.