**Hapet Biblioteka e Fëmijëve në Prishtinë, Rama: Shenjë Dashurie dhe Shprese për të Ardhmen**

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë u përurua Biblioteka e Fëmijëve, një hapësirë e re e dedikuar leximit, edukimit dhe zhvillimit kulturor të fëmijëve. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi këtë nismë si “shenjë dashurie dhe shprese për të ardhmen e qytetit”.

Gjatë ceremonisë së hapjes, kryetari Rama theksoi se ideja për këtë bibliotekë lidhet me përvojat e tij personale dhe rëndësinë thelbësore që leximi ka në formimin e fëmijëve. Ai ndau kujtimet e tij, duke treguar se frymëzimi erdhi nga përvoja e bashkëshortes së tij, Kristale, me bibliotekat, si dhe nga koha që fëmijët e tyre kaluan në bibliotekat e Londrës. Ky frymëzim nxiti dëshirën për të krijuar një hapësirë të ngjashme edhe në Prishtinë.

Sipas Ramës, biblioteka e re shënon edhe rikthimin e një hapësire me kujtime dhe simbolikë për kryeqytetin. “Kjo bibliotekë po rikthehet me fokus te fëmijët tanë, te më të mirët tanë. Sepse fëmijët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, kanë rëndësinë më të madhe në komunitetin tonë. Kjo është një shenjë dashurie për brezat e ardhshëm, është shenjë dinjiteti për fëmijët tanë, është shenjë shprese për të ardhmen e qytetit tonë,” deklaroi ai.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, i cili vlerësoi hapjen e bibliotekës si më shumë sesa thjesht një investim fizik. Ai e cilësoi atë si një zotim të përbashkët për të ardhmen e fëmijëve dhe arsimit në Kosovë. Dietz citoi ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, duke theksuar se “nuk ka armë më të mirë në botë sesa arsimi” dhe se ky moment pasqyron një përpjekje kolektive.

Ambasadori Dietz theksoi se biblioteka e fëmijëve është një vend ku të vegjlit zbulojnë gëzimin e leximit, zhvillojnë imagjinatën dhe ndërtojnë lidhje shoqërore. Përveç librave, një hapësirë e tillë kontribuon në zhvillimin intelektual, social dhe emocional të fëmijëve, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe mikpritës që nxit kureshtjen, kreativitetin dhe vetëbesimin. Rikthimi i kësaj biblioteke, pas dëmtimit të pësuar, simbolizon rikthimin e mundësive, kureshtjes dhe ndjenjës së komunitetit për anëtarët më të rinj të shoqërisë. Ai shprehu kënaqësinë që Luksemburgu ka kontribuar në këtë nismë, e cila plotëson punimet infrastrukturore të realizuara nga Komuna e Prishtinës, duke e cilësuar projektin si një shembull të qartë të partneritetit të suksesshëm mes autoriteteve lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit.