Stabilitet në rastet me kancer, shërbimet onkologjike përqendrohen në QKUK, një herë në muaj edhe në Prizren

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka deklaruar se numri i pacientëve të rinj dhe rasteve me sëmundje malinje gjatë këtij viti është i ngjashëm me vitet paraprake, duke e konsideruar këtë një lajm të mirë për Kosovën, pasi tregon një trend stabilizues të këtyre sëmundjeve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi theksoi se stabiliteti është veçanërisht i dukshëm gjatë katër muajve të parë të vitit. “Këtë vit kemi një numër të njëjtë të pacientëve ose rasteve të reja krahasuar me vitet paraprake, sidomos me vitin 2025 dhe 2024, dhe kjo është një gjë shumë e mirë për Kosovën, meqenëse trendi i këtyre sëmundjeve është në njëfarë forme stabil,” tha ai. Kurtishi shprehu shpresën që ky trend të vazhdojë, duke vënë në dukje se sëmundjet malinje më të shpeshta tek të rriturit janë kanceri i gjirit te gratë dhe kanceri i mushkërive te burrat.

Drejtori i Onkologjisë theksoi se sfidat në trajtimin e sëmundjeve malinje janë globale, pasi ato kërkojnë angazhim maksimal dhe terapi specifike për kontrollin dhe zgjatjen e jetës së pacientëve. Megjithatë, ai shprehet optimist për avancimin e vazhdueshëm të shërbimeve onkologjike në Kosovë, duke parashikuar trajtime më të sofistikuara në të ardhmen.

Trajtimi i pacientëve me kancer në sektorin publik realizohet kryesisht në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë. Për të afruar shërbimet, një herë në muaj, ato ofrohen edhe në Prizren, duke shërbyer më shumë se 100 pacientë, kryesisht ata me kancer gjiri dhe prostate, të cilët marrin trajtim onkologjik oral ose intravenoz. Ky shërbim u vjen në ndihmë jo vetëm qytetarëve të Prizrenit, por edhe atyre nga Suhareka, Dragashi dhe komunat përreth. Kurtishi shpreson që në të ardhmen, mjekët specializantë, pas përfundimit të specializimit, të shërbejnë edhe në spitalin e Prizrenit, me miratimin e institucioneve përkatëse.

Aktualisht, Kosova ka vetëm 12 mjekë onkologë dhe 5 radioterapeutë. Pavarësisht këtyre kapaciteteve të kufizuara, Klinika e Onkologjisë arrin të ofrojë rreth 99.9% të shërbimeve onkologjike në sektorin publik, duke u konsideruar si një nga institucionet publike më funksionale në vend. “Unë gjithmonë them se Klinika e Onkologjisë është e vetmja klinikë që kryen trajtimin e pacientëve me kancer në institucionin publik dhe 99.9% e shërbimeve onkologjike merren në sektorin publik,” theksoi Kurtishi, duke e krahasuar me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut për efikasitetin në ofrimin e shërbimeve thelbësore.

Në fund, Kurtishi theksoi progresin e madh në trajtimin e sëmundjeve malinje. “Kur krahasojmë se ku ka qenë Klinika e Onkologjisë para 10 apo 15 vitesh dhe ku jemi sot, dallimi është i madh dhe shumë domethënës në ofrimin e trajtimit korrekt për sëmundjet malinje,” përfundoi ai, duke nënvizuar përmirësimin thelbësor të shërbimeve onkologjike në Kosovë.