Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se projekti për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës është në fazë realizimi, ndonëse ka akuzuar ish-Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) për bllokimin e tij në të kaluarën. Kjo vjen në një kohë kur qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të marrin pjesën më të madhe të shërbimeve spitalore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një institucion që u shërben pacientëve nga i gjithë vendi.

Kjo situatë krijon një ngarkesë të theksuar për QKUK-në dhe i lë kryeqytetasit me shërbime të pamjaftueshme lokale. Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës shihet si një investim thelbësor për të lehtësuar barrën mbi sistemin shëndetësor dhe për të plotësuar nevojat e qytetarëve të kryeqytetit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama theksoi se vendndodhja dhe buxheti për spitalin janë përcaktuar tashmë. Ai shtoi se janë duke u zhvilluar bisedime me investitorë nga sektori privat dhe institucione financiare ndërkombëtare, të cilat kanë shfaqur interes për të financuar procesin. “Jemi në proces dhe do t’ju njoftojmë për hapat e mëtejshëm,” tha ai.

Sipas Ramës, ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ngarkesës në QKUK, duke u ofruar qytetarëve të Prishtinës një institucion shëndetësor të dedikuar. Ai theksoi se Prishtina është i vetmi kryeqytet në rajon që i mungon spitali i saj, ndërsa QKUK-ja shërben edhe pacientë nga pjesë të tjera të Kosovës.

Rama përmendi se gati dy vite më parë, kishte pasur fonde nga Katari për këtë projekt, por që ai ishte bllokuar nga ajo që atëherë ishte Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Megjithatë, ai siguroi se tani proceset po avancojnë, duke përfshirë bashkëpunimin me sektorin privat.

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka qenë një ndër premtimet kryesore të kryetarit aktual të Prishtinës. Komuna ka ndarë parcelën e tokës për ndërtimin e tij, si dhe ka caktuar një buxhet fillestar për projektin. Sipas planit të Komunës, projekti vlerësohet të kushtojë rreth 90 milionë euro dhe do të jetë i vendosur në zonën e njohur si Prishtina e Re.