Zjarr tragjik në Durrës: Humb jetën 25-vjeçari nga Bangladeshi, plagoset një tjetër nga Kenia
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, Sektori Rinia, në Durrës. Një zjarr i rënë në ambientet e një magazine ka shkaktuar vdekjen e një punonjësi dhe plagosjen e një tjetri.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, rreth orës 08:00, flakët kanë përfshirë ambientin e gatimit, i cili shërbente për punonjësit e subjektit me administrator shtetasin S.M. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë shpërthimi i një bombule gazi.
Si pasojë e asfiksisë, ka humbur jetën shtetasi O.M., rreth 25 vjeç, me origjinë nga Bangladeshi. Ndërkohë, një tjetër punonjës, shtetasi Ch.Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.
