**Haradinaj përkujton dëshmorët e rënë në Kotradiq dhe Nerodime: Liria u shkrua me gjakun e popullit**
Ramush Haradinaj, ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përkujtuar dëshmorët e rënë në Kotradiq dhe Nerodime, duke theksuar se liria e Kosovës u shkrua me gjakun dhe sakrificën e bijve e bijave më të mira të vendit.
Në përvjetorin e rënies së tyre, në Kompleksin Memorial, Haradinaj, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, nderoi heroizmin dhe sakrificën e dëshmorëve Fetah Selca, Ardian Kelmendi, Islam Berisha, Muharrem Kelmendi dhe Arsim Ramaj nga Kotradiqi.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë, në Zonën e Nerodimës, u përkujtuan dëshmorët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”: Shaqir Kuka, Sakip Hysa, Sadik Guri, Qemal Guri, Nazmi Osmani dhe Avdullah Baftiu, të cilët dhanë jetën për liri.
Haradinaj theksoi se gjatë këtyre luftimeve, armiku ekzekutoi edhe dhjetë civilë të paarmatosur në këtë zonë.
Duke iu referuar kësaj sakrifice sublime, Haradinaj u shpreh: “Liria jonë u shkrua me gjakun, mundin dhe sakrificën e bijve e bijave më të mira të këtij vendi. Përulje e përhershme para veprës së tyre heroike dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që ranë për Kosovën”.
