Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar sot për takimin e tij me kryetarin e Nismës Socialdemokrate (NISMA), Fatmir Limaj.

Hamza deklaroi se ka marrë konfirmimin se Fatmir Limaj do të mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit dhe më tej. Sipas Hamzës, kjo mbështetje shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, me qëllim forcimin e stabilitetit, zhvillimin dhe ndërtimin e një Kosove më të fortë.

Në njoftimin e tij të plotë, Hamza theksoi se atë dhe Limajn i kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin. Ai shtoi se këto vlera po i afrojnë dhe ribashkojnë sërish sot, në një moment kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve, vlera të cilat, sipas tij, i ndajnë edhe elektorati i PDK-së dhe ai i NISMA-s.

Kandidati i PDK-së falënderoi Limajn, duke e quajtur “mikun tim të vjetër”, për korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët.

Hamza e përmbylli mesazhin e tij me një thirrje drejtuar mbështetësve anekënd Kosovës dhe në diasporë: “Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën!”