Mbretëria e Bashkuar po përballet me një valë të pazakontë të të nxehtit, ku temperaturat kanë thyer rekorde historike për muajin maj. Londra regjistroi 35 gradë Celsius, duke shënuar ditën e katërt radhazi me nxehtësi ekstreme.
Tragjikisht, katër adoleshentë kanë humbur jetën nga mbytja që prej të dielës, sipas njoftimeve të autoriteteve kompetente. Këto incidente fatale ndodhën në ujëra të ndryshme të vendit, me viktimat që u mbytën në zonat e Sheffieldit, Mançesterit, Linkolnit dhe Birminghamit.
Përveç kësaj, një burrë 60-vjeçar humbi jetën ndërsa përpiqej të ndihmonte persona të tjerë në rrezik, teksa laheshin në një plazh në Cornwall.
Rekordi i temperaturës së lartë i regjistruar të martën, theu rekordin e së hënës, kur termometri shënoi 34.8 gradë Celsius. Kjo valë afshi, e paparë për muajin maj, ka prekur një pjesë të madhe të Evropës, nga Anglia në Itali.
Parashikimet e ekspertëve tregojnë se temperaturat do të mbeten të larta gjatë gjithë javës, me një rënie të ndjeshme që pritet vetëm nga dita e diel.
Lidhur me temperaturat e natës, nata nga e hëna në të martë ishte gjithashtu më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë në maj, ku në disa pjesë të vendit temperatura nuk ra nën 20°C. Nxehtësia ekstreme po shkakton probleme edhe në rrjetin hekurudhor britanik, pasi operatori Network Rail ka vendosur kufizime në shpejtësinë e trenave.
